Kreditë e buta në Tiranë, shpallen 2871 fituesit e fazës së parë
Bashkia publikoi listat e aplikantëve fitues dhe jofitues për programin e subvencionimit të interesave të kredisë.
Janë publikuar listat e aplikimeve fituese dhe jofituese të fazës së parë për programin social “Subvencionimi i Interesave të Kredisë”, i njohur gjerësisht si programi i kredive të buta. Sipas të dhënave të publikuara, 2871 aplikantë janë kualifikuar si përfitues në këtë fazë, ndërsa 1538 aplikime kanë rezultuar jofituese.
Programi mbështetet në ligjin “Për strehimin social” dhe në vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës të datës 26 shkurt 2026, që përcakton sistemin e pikëzimit, kufijtë minimalë dhe maksimalë të të ardhurave, nivelin e kreditimit dhe dokumentacionin që duhet të paraqesin individët dhe familjet për të përfituar nga kjo skemë.
Dokumentacioni dorëzohet nga një aplikant për familje
Në njoftimin zyrtar sqarohet se në rastet kur brenda së njëjtës certifikatë familjare kanë aplikuar më shumë persona, dokumentacioni duhet të dorëzohet vetëm nga njëri prej aplikantëve për të gjithë anëtarët madhorë të familjes.
Gjithashtu, individët ose familjet që kanë rezultuar përfituese nga programi gjatë thirrjes së vitit 2025 dhe për të cilët Enti Kombëtar i Banesave ka miratuar shtyrje afati, nuk mund të aplikojnë në këtë thirrje të re.
Afati i ankimit deri më 16 qershor
Aplikantët që nuk janë kualifikuar si përfitues në fazën e parë kanë të drejtë të paraqesin ankim brenda pesë ditëve pune nga data e publikimit të listës. Afati për paraqitjen e ankesave është nga 10 qershori deri më 16 qershor 2026.
Ankimi mund të kryhet në mënyrë elektronike përmes portalit qeveritar e-Albania, duke zgjedhur shërbimin “Kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social”, ose fizikisht pranë sporteleve të sektorit të informimit dhe shërbimeve publike.
Faza e dytë do të shpallet me njoftim të veçantë
Bashkia e Tiranës ka bërë të ditur se faza e dytë e procesit, e cila lidhet me dorëzimin e dokumentacionit nga aplikantët e kualifikuar, do të zhvillohet pas publikimit të një njoftimi të dytë zyrtar.
Programi i kredive të buta synon të mbështesë familjet dhe individët që kanë nevojë për strehim, duke subvencionuar interesat e kredive dhe duke lehtësuar kostot e financimit për blerjen e një banese.